“I dashur armik”, Nejmari nga i urryeri numr 1, në heroin e Paris SG!

Koha shëron gjithçka, edhe kur duket se nuk mund të ndodhë. Dy ndeshje dhe dy gola mjaftuan që Nejmar të jetë i mirëseardhur tek Paris SG, pavarësisht konfliktit të ashpër të verës, dhe dëshirës absolute të tij për të braktisur klubin. Një tjetër fitore i kryeqytetasve u arrit falë tij, të kuptohemi thjesht sepse shënoi golin, dhe formacioni i trajnerit Tomas Tuhel u ngjit në krye të renditjes.

Nuk ishte gjë e vogël, luhej në stadiumin e Lionit, por një superyll i tillë mund të bëjë diferencën edhe në Spanjë, Angli apo Itali, pra padyshim edhe në Francë. Në përfundim të duelit, të gjithë tek PSG-ja ishin të lumtur, e kush e kishte mendjen tek ajo që ndodhi në gusht.

“Ai është 100 për qind me ne, – tha Tuheli pas ndeshjes, – ai është 100 për qind në grup. Ai është i qeshur, është i besueshëm, është krejtësisht i bashkuar me shokët e skuadrës. Kjo është një gjë normale, gjithashtu është e nevojshme për ne”.

Gazetat, po ashtu, nuk u morën më me telenovelën e tij të verës, por me të tashmen. “L’Ekip”: Këmba e Neit! Braziliani hipnotizoi mbrojtjen e Lionit duke i dhënë fitoren PSG-së! “Lë Parizien” komenton thjesht: Edhe një herë tjetër Nejmari ndryshon gjithçka!

“Një ndeshje shumë e vështirë, – ishin fjalët e heroit që përçan, – Lioni është një ekip shumë i fortë. U mbrojt mirë, dhe kundërsulmoi rrezikshëm, por ne luajtëm gjithashtu mjaft mirë. Goli më bën mirë për vetëbesimin, shpresoj të vazhdoj kështu”.

Një javë më parë, Nejmari u rikthye titullar, duke iu përgjigjur në mënyrë madhështore pritjes armiqësore të tifozëve parizienë. Në sekondat e fundit, siguroi fitoren ndaj Strasburgut me një gol të madh. “L’Ekip” e cilëson si “mbretin e kohës së parave”, pra lojtarin më të mirë në ligën franceze që zgjidh ndeshjet në minutat e fundit. Gjithçka mjaltë në Paris, por kjo nuk garanton aspak që armiqësia nuk do të fillojë sërish verën e ardhshme.

Sfidanti.al