Humb në Malagë, edhe Barcelona e thotë se ky është viti i Realit!

Kur Reali barazoi me Atletikon, shumëkush e pa këtë si një dhuratë për Barcelonën, veçse vetë katalanasit nuk ishin të këtij mendimi. Ata ia kthyen dyfish nderin madrilenëve duke u mundur 0-2 në fushën e Malagës dhe duke mbetur 3 pikë prapa kreut. Titulli është në mënyrë të sigurt në duart e formacionit të trajnerit Zidan, që gjithsesi nuk mund të thotë se e ka fituar. Ajo që ndodhi në stadiumin e Malagës ishte e denjë për një film “horror”, një mbrëmje tërësisht e mallkuar e asaj që dukej se po kthehej sërish si skuadra më e madhe e botës.

Barcelona u tregua sërish e aftë të bënte një kthesë 180-gradëshe, nga dërrmimi që i bëri Seviljes në vetëm 8-9 minuta, tek turpërimi që i ndodhi tani. Sandro Ramirez shënoi në pozicion të rregullt në pjesën e parë, ndërsa MSN-ja e famshme nuk mundi të bënte dot gjë. Më saktë, bëri diçka që nuk duhej, pasi Nejmar doli me karton të kuq në 66’. Në Spanjë, ka nga ata që thonë se rrezikon edhe “El Klasikon”. Mesi dhe Suarez nuk ishin dot përcaktues dhe Malaga pati me vete gjithë tifozët e Realit.

Një tifoz e pati në stol, pasi trajner i skuadrës është Miçel, ish-mesfushori legjendar i Realit të Leo Benhakerit të viteve 80-të, që mund t’i marrë në telefon ata të Madridit dhe të thotë se detyrën e tij e bëri. Në fund erdhi goli i dytë, ai i shënuar nga Xhoni në 90’, dhe Barcelona jo vetëm që ia zbehu shpresat vetes për të mbrojtur titullin, por edhe u përgatit në mënyrën më të keqe për përballjen e madhe me Juventusin në Ligën e Kampionëve.

Sfidanti.almalaga barcelona micelmalaga barcelona goli