Hej Lukaku, për fëmijërinë që ke pasur, e meriton atë shtrat!

Kur, për herë të parë, pashë lajmin për krevatin gjigand të sulmuesit të Interit, mendova dy gjëra, ose ky njeri ka vuajtur shumë kur ka qenë fëmijë, ose ndoshta është llastuar përtej masës, dhe nuk di se me çfarë teke t’ia bëjë qejfin vetes. E vërtetë ishte e para! Nëse do të “lundrosh” në internet, do të gjesh një shkrim që Romelu Lukaku e kishte shkruar për “Tribunën e Lojtarëve” (“Players Tribune”).

“Kur isha 6 vjeç e gjeta mamanë duke qarë, sepse nuk kishte aq para sa të na ngopte me bukë, – shkruante ai, – nuk i thashë asnjë fjalë, sepse nuk doja ta mërzisja, por ju betova Zotit, dhe i premtova vetes se do të bëhesha futbollist profesionist. Pyeta babain se në çfarë moshe bëheshe profesionist, dhe ai më tha “16 vjeç”. Dakord, thashë, 16 vjeç”.

Që të kuptohemi, Lukaku ka lindur në Belgjikë, në qytetin Antverp, një nga portet më të mëdhenj e më të pasur të botës, por ja që edhe atje kishte njerëz që nuk ngopnin dot fëmijët me bukë. Që nga ajo kohë derisa ia doli, Romelu mund të thuhet se nuk luajti futboll, por luftoi. “Çdo ndeshje që luaja ishte një finale, – shkruan ai, – edhe kur luaja për qejf në park, ishte finale, edhe kur luaja gjatë pushimit në shkollë ishte finale. Sa herë që goditja topin doja t’ia grisja lëkurën. Nuk po luaja me finesë, por me forcë, unë nuk kisha plej stejshën (play station), nuk kisha lojën e fundit të FIFA-s. Unë nuk po luaja, por po luftoja që të vrisja”. Ndoshta, shprehja e tij nuk ishte ajo e sakta, por gjithsesi ajo tregon se përse shtrati i Romelu Lukakut në Milano është kaq i madh, dhe talljet e shokëve të tij tek Inter se “është shtrat për 15 vetë”, tregojnë se ata nuk mund ta kuptojnë gjigandin e mirë belg”.

Sfidanti.al