Hej Juventus, e kuptove që Atalanta nuk është “peshë e lehtë”!

Sezonin e kaluar u tha që ekipi i Sarrit bëri gjithçka që ta humbiste titullin, por Interi i Kontes ia ktheu respektin, duke i thënë: “Urdhëroni, shpalluni kampionë!” Kjo që po ndodh këtë sezon tregon se kjo kishte qenë vetëm një barcaletë, ndërsa e vërteta është që Seria A ka ardhur duke u bërë më e fortë, dhe pas 9 vjetësh dominimi të Juventusit, raportet po ndryshojnë. Barazimi 1-1 që Atalanta mori në stadiumin “Alianc” të Torinos ishte një tjetër tregues i ndryshimit.

Padyshim, një ndeshje e bukur nga dy skuadra që dinë të luajnë futboll, dhe merita kryesore ishte e Atalantës që nuk pati frikë për të guxuar suksesin në “strofkën e ujkut”. “Mund të kishim fituar, – tha trajneri Gasperini, – ne u treguam shumë të zotë, (portieri) Golini edhe më shumë”. Golini, trashëgimtari i Etrit Berishës, priti penallti ndaj Kristiano Ronaldos, i cili vazhdon të synojë rekordin botëror të golave nga distanca e 11 metrave. Edhe Shezni u bë “rrufepritës” për Juven, ndërsa golat u shënuan nga Kieza në pjesën e parë dhe Frojler pas pushimit.

Andrea Pirlo u shpreh i hidhëruar për ekipin e tij. “U treguam pak si shumë të lehtë, – tha ai, – deri edhe Morata më bëri që të nxehesha. Zhvilloi një ndeshje të madhe, por gaboi shumë. Ronaldo mundet edhe të gabojë. Dibala? Unë mendoj si ta stërvis sa më mirë”. Duket se ndikimi i Ronaldos vazhdon ta dëmtojë argjentinasin. Juventusi mbeti në 24 pikë, ende pa humbje (6 fitore e 6 barazime), ndërsa Atalanta është vetëm në vendin e 8-të me 18 pikë (dhe një ndeshje më pak) e kjo tregon sesa e fortë është bërë Seria A.

Sfidanti.al