Hansi Flik po tregon se nuk është një perëndi, por sërish po fiton!

Në një analizë në faqen në internet “Punët e futbollit bavarez” u vendos një titull i tillë: “Tre vëzhgime e gjysmë nga fitorja 5-2 me përmbysje e Bajernit të Mynihut ndaj Maincit!” Nëntitulli i kapitullit të parë të analizës ishte që “Hansi Flik nuk ka frikë të pranojë gabimet e tij”. Me të vërtetë, trajneri bavarez u detyrua shpejt të ndreqte veten, pasi Mainci shfrytëzoi dobësinë e skuadrës së tij në mbrojtje dhe në krahë. Në pushim ai largoi të ngadaltin Zherom Boateng si dhe kampionin e botës, Pavar, duke hedhur në fushë Niklas Zylen dhe Leon Goreckën, si dhe duke zhvendosur djathtas Xhoshua Kimihun. Kjo bëri punë. Pasi humbi 0-2 pjesën e parë, Bajerni përmbysi gjithçka, dominoi në krahë dhe madje Zyle shënoi gol. Gol shënoi Kimih, po ashtu Leroi Sane dhe dy herë Robert Levandovski.

“Trajnerë të tjerë do ta injoronin faktin se bënë gabime, por Fliku nuk është i tillë”, – shkruan faqja sportive bavareze. Vetë Fliku pohoi se “fituam nga vullneti që kishim për të fituar”. “Na ndihmuan ndërrimet në pjesën e dytë, – vazhdoi ai, – Ne fituam duelet, gjë që nuk e bëmë në pjesën e parë. Ne e kuptojmë se pjesa e parë nuk ishte ajo e duhura”. Edhe Xhoshua Kimih deklaroi se “ne ishim me fat që Mainci nuk shënoi golin e tretë në pjesën e parë”. Kjo ishte hera e 7-të që Bajerni ndodhet në dizavantazh dhe ndonëse vazhdimisht ka realizuar përmbysje, ky fakt është bërë shqetësues. Bajerni kryesun Bundesligën me 33 pikë pas 14 javësh dhe me 44 gola të shënuar. Lajpcigu i vendit të dytë ka një pikë më pak, por ka shënuar vetëm 25 gola.

Sfidanti.al