Hansi Flik: E merituam fitoren qoftë edhe me shifrat 4-1!

Qetësinë e tij olimpike nuk e humbi për asnjë sekondë, ndonëse u duk më në fund i çtensionuar. Trajneri i Bajernit, Hansi Flik, ishte pak më i çelur se kohët e fundit, ndërsa komentoi fitoren e skuadrës së tij ndaj Lacios në Champions. Një sukses i thellë, 4-1, madje jashtë fushe, dhe Fliku u ngacmua se mos vallë Liga e Kampionëve krijon tjetër motivim për ekipin e tij në krahasim me Bundesligës.

“Është e vërtetë që CHampionsi është special për ne, – tha ai, – por pas dy ndeshjeve të kaluara ne donim të luanim ndryshe. Ne bëmë presion ndaj Lacios dhe e detyruam që të bënte gabime. Ne e shfrytëzuam rastin e parë shumë mirë. Bëmë një paraqitje shumë të mirë dhe mendoj se e merituam fitoren, qoftë edhe me shifra të tilla”. Flik vlerësoi të riun 17-vjeçar Musiala, që u bë shënuesi më i ri i Bajernit në Champions. “Jam i lumtur për Xhamalin, ndonëse e gjithë skuadra luajti mirë. Ishte e rëndësishme që shënoi gol, dhe që luajti mirë, ne e dimë se ai është i zoti për të luajtur në hapësira të vogla. Jemi të lumtur për golin e tij”.

Sfidanti.al