Hamilton e meritoi fitoren në Angli, por sa shumë fat për kampionin!

Arriti një sukses aspak si të Pirros, por me një këmbë “në varr”. Në pistën e Silverstounit fitoi një makinë gjermane, Mercedesi, porse e drejtuar nga një pilot anglez, Ljuis Hamilton. Ky ishte suksesi i 7-të i anglezit në atdheun e tij, veçse duhet thënë se ishte fitorja me më shumë fat në karrierë. Atij iu shpua goma në xhiron e fundit, dhe nëse gara do të kishte pasur edhe nja dy kthesa të tjera, ai do të kishte humbur. Gjithsesi epërsia që pati nga Red Bulli i Verstapenit bëri që ta ruante vendin e parë, dhe të arrinte suksesin e 87-të në karrierë, vetëm 4 më pak se rekordi i legjendës Mikael Shumaher.

“As vetë nuk e di sesi arrita të fitojë, – u shpreh Ljuisi pas garës, – pata fat, por ishte mëkat që pësova atë problem, sepse ishte garë e madhe nga ana e skuadrës sonë. Më vjen keq që tifozët nuk ishin për të festuar së bashku”. Nuk pati kaq fat shoku i tij i ekipit, Botas, që zbriti nga vendi i 2-të në të 11-in. Ferrari e mbajti lart flamurin (aq sa mundi) me Sharl Leklerkun që doli i treti. Hamilton kryeson Botërorin e Formula 1, pas Çmimit të Madh të Britanisë, me 86 pikë ndaj 58 të Botasit, ndërsa Verstapen ka 52,

Sfidanti.al