Hamilton barazon Shumaherin: Një nder për të cilin nuk shpresoja!

Kanë kaluar 14 vjet plus edhe 10 ditë që kur Mikael Shumaher arriti fitoren e tij të fundit. Ishte ajo me numrin 91 për një rekord që mendohej se do të duheshin shumë e shumë kohë për t’u kaluar. Nuk dihet nëse Ljuis Hamiltoni ka pasur besim në vitet e tij të para, por tashmë është pikërisht ai që e barazoi këtë rekord të madh, 91 fitore në total në Formula 1. Kjo gjë ndodhi në Çmimin e Madh të Ajfelit, në një pistë në mes të maleve të Gjermanisë Perëndimore (si koncept gjeografik tashmë, jo si shtet).

Vetë legjenda gjermane nuk ishte aty, dhe as nuk besohet se e ka mësuar se çfarë ka ndodhur ndërsa ndodhet i kufizuar në jetën e tij të dëmtuar rëndë pas aksidentit në alpet franceze 7 vjet më parë, ku ishte për të bërë ski alpine. Në këmbë të babait ishte Mik Shumaheri, djali i tij 21-vjeçar që kryeson Botërorin e Formulës 2, dhe aspiron të jetë një emër në Formula 1.

“Është një nder i madh, – tha Hamilton pas fitores, – nuk di se çfarë të them. Unë u rrita duke ndjekur figurën e Shumaherit që ishte një idhull për mua, duke ndjekur gjithçka që ai bënte. Duke menduar dominimin që ai pati, vështirë të shpresoja që ta barazoja, ndaj është një nder i madh. Falenderim i madh për skuadrën dhe respekt i madh për Mikaelin”.

Kjo ishte fitorja e 7-të e sezonit për kampionin e botës, ndaj 2 të shokut të skuadrës Valter Botas, dhe nga 1 për Maks Verstapenin e Red Bullit dhe Pjer Gaslinë e Alfa Taurit. Hamiltoni kryeson renditjen e Botërorit me 230 pikë ndaj 161 Botasit e 147 të Verstapenit që realizoi xhiron më të shpejtë në Nyrburgring pikërisht në fund. Hamiltoni pritet ta thyejë rekordin e fitoreve të Shumit, si dhe të barazojë numrin e titujve kampion të tij, me 7.

Sfidanti.al