Guardiola deshi kulmin e aventurës në futboll, Manuel Nojerin mesfushor!

Kanë kaluar 6 vjet që nga ajo kohë, dhe nuk u realizua ideja aq revolucionare e trajnerit të madh. Pep Guardiola pati një “fantazi” të nivelit më të lartë, të tillë që e tregon qartë natyrën e njeriut që në futboll përfaqëson Bitëllsat apo ndoshta Stiv Xhobsin, pra personifikimin e emancipimit total. Në 2014, menjëherë pasi fitoi titullin kampion me Bajernin, Guardiola planifikoi të provonte Manuel Nojerin në një rol në mesfushë. Ai ishte i bindur se portieri, në atë kohë 27 vjeç, do të ishte një sukses, një sensacion botëror, pasi dinte të luante shumë mirë me këmbë, të bënte duel, të driblonte e të pasonte.

Këtë gjë e thotë sot Karl-Hajnc Rumenige, shefi ekzekutiv i Bajernit, në intervistën pë revistën bavareze “51”. “E kujtoj shumë mirë kur Guardiola kishte plane të mëdha për portierin, – thotë Kalle, – ai e pati seriozisht idenë për ta nxjerrë në mesfushë”. “Revolucioni” nuk ndodhi sepse Rumenige vuri veton, por pranoi se “e pata shumë të vështirë ta bindja Pepin që të hiqte dorë, gjë që të tjerët do ta kishin cilësuar arrogancë”. Gjithsesi, një bast në mesfushë, ose në rolin e liberos mund të kishte qenë tepër interesant.

Sfidanti.al