Grushtet e presidentëve Laska e Halili, si një kartolinë për zotin Rama

Rroftë dhuna, poshtë dhuna! Na ishte një përrallë e bukur që na gënjeu për ca vite, por më në fund i dolën të ..palarat! Tregohej prej vitesh me sukses, sidomos nga nastradinët që i shërbejnë sistemit se, dhuna në futboll lind nga poshtë, nga populli rebel i futbollit, por, shyqyr zotit, nuk ngjitet lart..tek presidentët. Ndaj, edhe takimi i presidentëve të futbollit me zotin Rama.. u mbulua me lavdi sepse arriti “qëllimin” të dënonte me 3 vite burg vandalizmin popullor , ata që do të kalonin gardhin dhe vijën e bardhë, duke injoruar shtetërisht dhunën e pastër që buron nga sipër. Ajo që ndodhi këto ditë mes presidentit Laska të Laçit dhe presidentit Halili të Tiranës, ku grushtet nuk peshojnë më mbi arbitrat, as mes tifozëve, as tek futbollistët, por mbi “të fortët e lojës”, ishte si një prelud dhune, një përgënjeshtrim i madh për “shejtanët e zyrave” që na shponin rregulllisht me shiringën se dhunën nuk e sollën presidentët, por e gjetën midis jush…
Atë ditë të bekuar, kur presidentët u treguan si nxënës të urtë para zotit Rama, u trumbetua me të madhe se dhuna “u varros”tamam në atë moment kur u hapën dyert e burgut. 3 vite larg stadiumit, larg diellit për dhunuesit që katapultonin nga shkallët e stadiumit dhe asnjë fjalë , asnjë pengesë për ata që tërheqin fijet e dhunës. U shpërfill në mënyrën më flagrante pyetja jetike : po dhuna që vjen nga tribuna e shefave dhe zbret në dhomat e arbitrave, përse nuk preket? Madje akoma më keq: përse mbrohet? Tani, pas asaj që ndodhi, ku dhuna shkoi tek i zoti, dhe kjo për meritë të padiskutueshme të FSHF-së, pasi kush mund të thotë se Laçi dhe Tirana e degraduan sjelljen e tyre pa ndihmën e cmueshme të “prindit hileqar”, i cili kujdeset me stoicizem për të mos i lënë klubet në paqe, sepse kështu trillohet më bukur gara…

Sfidanti.al