Golden Stejt fiton titullin në NBA, Durant shpallet më i miri!

Kevin Durant e fitoi më në fund titullin që e kërkonte prej kohësh. Jo me Oklahomën “e tij”, por me një tjetër skuadër që patjetër është “e tija”, Golden Stejtin.  Uorriorsët, “Luftëtarët” mposhtën Klivlendin 129-120 në ndeshjen e pestë të Serisë Finale të NBA-së, duke e fituar këtë seri me rezultatin 4-1. Nuk ndodhi tragjedia e vjetshme, kur Klivlendi përmbysi humbjen 1-3 për të fituar 4-3 brenda në Arenën e Oklendit, shtëpinë e Stefën Kërrit.

Durant u shpall edhe lojtari më i mirë i finaleve, dhe në përballjen e fundit shënoi 39 pikë. Lebron Xhejms nuk ishte më prapa, realizoi 41 pikë, kapi 13 topa në tabela, shërbeu 8 asistë, vodhi 2 topa dhe bllokoi një gjuajtje, por për të kushedisesatën herë nuk mjaftoi.

Stefën Kërri, ylli tjetër i vendasve, shkëlqeu me 34 pikë, duke fituar titullin e dytë në tre vjet, Drejmond Grin shënoi 10 pikë e kapi 12 topa, Iguodala pati 20 pikë, ndërsa Klej Tompson 11. Kajri Irving nuk mundi ta ndihmonte aq shumë Lebronin këtë herë duke shënuar 26 pikë, por duke gabuar shumë në gjuajtje.

Xhejms ishte në finalen e shtatë radhazi në NBA, diçka që nuk ndodhte prej një jete, por u detyrua të dilte i mundur për herë të katërt. Nuk dihet nëse Klivlendi dhe Lebroni do të munden të sfidojnë Golden Stejtin vitin tjetër, apo kampionët do të nisin një dominim tw ri nw NBA.

Sfidanti.al