FSHF kërkon vepër penale për dhunën, si i bëhet me presidentët?!

Një nga kërkesat më të rëndësishme që Federata Shqiptare e Futbollit do t’i bëjë kryeministrit Rama, në konferencën e sotme, është ajo për ta konsideruar vepër penale hyrjen përtej rrethimit të brendshëm të stadiumit, dhe padyshim edhe goditjen e zyrtarëve të ndeshjes. Kjo, sipas FSHF-së, vlerësohet si edhe më e rëndësishme sesa kthimi i Policisë së Shtetit në stadium.

Gjithsesi, Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në Europë ku dhuna nuk vjen nga tribunat popullore, por nga tribuna VIP. Do të thotë se historikisht, këto 3 dekada, “huliganët” kanë qenë ose me imunitet parlamentar, ose të zgjedhur vendorë, ose me ofiqet e presidentit, shefit apo drejtorit në klubet përkatës të futbollit.

Duke qenë bashkim i shoqatave, që do të thotë bashkim i presidentëve dhe kryetarëve të bashkive, FSHF me kërkesën që pritet t’i bëjë qeverisë, mund të godasë pikërisht anëtarët e saj. A thua, do të ketë edukim pas kësaj, gjithnjë nëse qeveria do ta pranojë kërkesën? Më shumë duket se tryeza e sotme do të jetë një tjetër “miting” elektoral i qeverisë përpara zgjedhjeve të ardhshme vendore, ndërsa sa për dënimin e tribunës VIP, gjeni më mirë ndonjë që nuk jeton në Shqipëria, për ta bindur!

Sfidanti.al