Franca qan “spanjollin e vogël” Hidalgo që e bëri kampion të Europës!

E përditshmja “Lë Parizien” nuk harron të theksojë se ai ishtë një fëmijë lufte. Mishel Hidalgo, pasardhës i një babai spanjoll dhe i një nëne franceze, kaloi fëmijërinë në Normandi, dhe ishte 11 vjeç kur erdhi “Dita”, pra zbarkimi i Aleatëve anglo-amerikanë në plazhet normande në qershor 1944, duke provuar çdo të thotë të të fluturojnë predhat mbi kokë. Shtëpia e prindërve të tij u shkatërrua nga një goditje artilerie, por për fat njerëzit nuk ishin aty dhe Misheli i vogël mbijetoi për të bërë më pas historinë.

Pasi luajti futboll, doli edhe kampion i Francës, ai nisi karrierën si trajner, ku u bë i shquar. Në 1976 mori frenat e kombëtares nga ish-shefi i tij, i famshmi Stefan Kovaç. Mishel Hidalgoja vazhdoi krijimin e Francës së madhe, afroi Mishel Platininë, dhe shkëlqeu në Botërorin 1978, edhe pse u eleminua në grup. Pas një Europiani “anonim” 1980, “gjelat” e Hidalgosë shkëlqyern në Kupën e Botës 1982 në Spanjë.

Edhe pas humbjes në grup me Anglinë, marshimi vazhdoi deri në gjysmëfinale, ku u mposht nga Republika Federale Gjermanie me penallti. Në 1984, në Paris, Franca u shpall kampione e Europës me 9 golat e Platinisë në 5 ndeshje, dhe me finalen me fat ndaj Spanjës së Arkonadës.  Ai krijoi “futbollin shampanjë”, si dhe “kuadratin magjik”, pra mesfushën me Platininë, Zhiresin, Tigananë dhe Fernandezin. Në atë kohë, ai u largua nga drejtimi i kombëtares, duke ia lënë ndihmësit të tij, Henri Mishelit, e duke u bërë Drejtor Teknik. Kur u pyet sesa do të vazhdonte “fenomeni Francë”, ai u përgjigj: “Gjatë, kemi punuar që nga fillimi i viteve 70-të për këtë”. Kështu edhe ndodhi. Ky Hidalgo “i vogël”, pasi punoi edhe tek Olimpiku i Marsejës, u tërhoq, jetoi jetën e tij dhe u shua dy ditë më parë, në moshën 87-vjeçare.

Sfidanti.al