Formula 1, parashikimet në Gjermani japin Fetelin si kampion të botës!

Dueli i parë mes gjigandëve përfundoi me fitoren e Sebastian Fetelit. Gjermani 29-vjeçar do të ketë një sfidë të gjatë dhe të vështirë me 32-vjeçarin Ljuis Hamilton, për të fituar më në fund titullin e pestë botëror në karrierë. Katër herë kampioni me Red Bullin zgjodhi Ferrarin për të ardhmen dhe vetëm tani duket se mund të luftojë për maksimumin. Gazeta gjermane “Bild” bën një  parashikim pas garës së fillimit të sezonit në Formula 1, të ndjekur nga 2.27 milionë teleshikues vetëm në Gjermani, në ekranin e RTL-së.

Parashikimi është se Fetel do të fitojë 10 gara ndaj 9 të Hamiltonit, dhe se titulli do të shkojë për pilotin e Ferrarit, jo për atë të Mercedesit. Hamilton është tri herë kampion i botës, dhe vjet e humbi duelin me shokun e skuadrës, Niko Rosbergun, ndërsa nuk dëshiron të humbasë sërish. Gjithsesi, sipas prognozës “Bild”, Çmimin e Madh të radhës, atë të Kinës në 9 prill, e fiton Hamiltoni.

Sfidanti.al