Flamurtari si “qofte tek Daja” për Partizanin që harboi me gola!

Në Vlorë ndodhën të gjitha kundër rrjedhës : Tifozët e Partizanit bënë një pajtim publik me fotografin e Flamurtarit, me të cilin kishin një borxh moral qysh nga ndeshja e kaluar. Partizani ndali vrullin vetem pas 3 golave , kurse Flamurtari ishte në fushë dhe kishte aq fuqi sa për të ngritur flamurin e bardhë të dorëzimit. Një dorëzim që mund të shndërrohej edhe në një dyzinë golash, kur disa tifozë të Flamurtarit, nga shkallët e stadiumit, lëvduan me qesëndi karakterin e futbollistëve të tyre, me shprehjen : “ U treguat trima kur nuk pësuat dhe golin e katërt..”
Metamorfozë mbresëlënëse në dy ndeshjet e fundit! Në Tiranë, një gol i vlonjatëve, “prishi” ndeshjen për një foto, kurse në Vlorë..3 gola të Partizanit, nuk e dimë, e prishën apo nuk e prishën gjumin e Flamurtarit. Madje duket intrigues fakti se në ndeshjen e parë, kur Ribaj shënoi për Flamurtarin, tifozët e Partizanit u ndezën aq keq, saqë kaluan edhe kufirin me tela për të kapur fotografin që kurdisi foton me provokuese të sezonit..kampion. Këtë herë, kur Partizani festonte dhe pozonte me larmi për çdo gol që shënonte, tifozët vlonjatë kaluan gardhin vetëm me anë të..fjalorit!
Sfidanti.al