Fetel ka diçka që nuk i pëlqen në kontratën e re të Ferrarit!

Nuk është pak të jesh në skuadrën më të famshme të garave të shpejtësisë. Sebastian Fetel e di se jo kushdo ka drejtuar një Ferrari në Formula 1, ndërsa emrat e së kaluarës janë mitikë, që nga Alberto Askari e Huan Manuel Fangio, e deri tek Niki Lauda, Mikael Shumaher e Fernando Alonso … për të arritur tek Fetel. Gjithsesi, katër herë kampioni i botës ka një rezervë (në mos më shumë) që e bën të frenohet për të ardhmen.

Ai ende nuk ka pranuar të firmosë rinovimin e kontratës, ndërsa Ferrari i ka ofruar një marrëveshje 3-vjeçare (deri në 2020) me rrogë afërsisht 40 milionë euro në sezon. Kjo, do ta bënte atë thuajse të barabartë me Fernando Alonson dhe ndoshta të paguar pak më mirë se Ljuis Hamiltoni tek Mercedesi. Gjithsesi, Fetel “rrëshqet” për vendimin. “Bëhet fjalë për të hedhur një firmë në letër që kërkon pak sekonda, – tha ai, – gjëja kryesore është që të fitojmë titullin, dhe dua të jem i përqëndruar tek përmirësimi i makinës dhe tek garat”.

Besohet se Fetel dëshiron të firmosë një kontratë 1-vjeçare me Ferrarin, në mënyrë që të jetë i lirë për të ardhmen, ndërsa po ashtu mendohet se ai nuk është ende plotësisht i bindur se skuadra italiane e ka potencialin për të përballuar rivalitetin me Mercedesit. “Unë kam kontratë deri në 2018”, – thekson gjermani, pra besohet se do të pranojë rinovimin në fund të vitit nëse gjithçka shkon mirë në pistë.

Sfidanti.al