Ferrari dorëzohet në Japoni, Hamilton fiton provat numër 80!

Prova zyrtare për t’u festuar nga njëra palë, dhe për t’u harruar nga tjetra. Ljuis Hamilton zuri vendin e parë në konkurrimin e fundit para garës në Çmimin e Madh të Japonisë, ndërsa Ferrari pësoi një dështim të madh. Piloti anglez la pas gjithë të tjerët me kohën 1’27”760, ndërsa kjo ishte fitorja e tij e 80-të në “pole position” në karrierë, një rekord botëror që ai po e thyen thuajse çdo dy javë apo çdo javë. Në vend të dytë, në pistën e Suzukës, doli Valteri Botas, gjithashtu me Mercedes, gati 3 të dhjetat më vonë, ndërsa i treti doli Verstapen me Red Bull.

Po Ferrari? Italianët pësuan një dështim të madh. Sebastian Fetel bëri gabim në zgjedhjen e gomave, pasi në minutat e fundit në Suzuka nisi të bjerë shi. Kjo i kushtoi shtrenjtë gjermanit që doli vetëm në vendin e … 9-të! Koha e tij ishte 4 sekonda e gjysmë më e madhe sesa ajo e Hamiltonit, natyrisht në kushte më të vështira me shi. Raikonen doli në vend të katërt, 1.7 sekonda prapa kampionit të botës, ndërsa Verstapen ishte 1.3 sekonda pas. Hamilton do të synojë fitoren nesër, rritjen e epërsisë prej 50 pikësh ndaj Fetelit, dhe suksesin e 71-të në karrierë, gjithnjë e më pranë rekordit të Shumaherit me 91.

Sfidanti.al