Elkan shkakton polemika: Ky, Juventusi më i mirë i kohëve!

Nuk mund të mungonin polemikat pas një deklarate të tillë. Xhon Elkan, president i grupit “Eksor” (Exor) që zotëron aksionet e Juventusit, nxorri nga goja këto fjalë: Me fitoren e titullit të pestë radhazi, jemi në nivel të njëjtë me Juventusin më të madh të të gjitha kohëve, atë të pesëvjeçarit të artë të viteve 30-të”. Dakord, përsa i përket Serisë A, shifrat flasin vetë, pesë kampionate radhazi atëherë, pesë radhazi tani.

Veçse nuk flasin për kundërshtarët që kishte përballë Juventusi dhe për nivelin në Europë. Mediat italiane menjëherë kanë bërë vërejtjen e tyre duke nxjerrë dy formacione të bardhezinjve që kanë lënë gjurmë, atë të viteve 80-të dhe atë të viteve 90-të. Në epokën 1982-1987, tek torinezët luanin Xof në portë (pastaj Takoni), Shirea, Kabrini, Brio, Tardeli, Platini, Bonjek dhe Paolo Rosi. Ai Juventus i drejtuar nga Xhovani Trapatoni, pasi fitoi shumë në vitet 70-të (katër kampionate, 1 Kupë UEFA), bëri të vetët edhe dy “skudeto”, Kupën e Kupave të Europës, Kupën e Kampionëve, Superkupën e Europës dhe Kupën Ndërkontinentale.

Në vitet 90-të, me Marçelo Lipin luanin në formacion Peruci, Ferrara, Paulo Souza, Deshamp, Konte, Viali, Del Piero, Ravaneli, Jugoviç, Davids, Di Livio, Pesoto, Torriçeli e Vierkovud. Ai Juventus fitoi Championsin e dytë dhe të fundit në histori, tre tituj kampion, Kupën UEFA, Superkupën e Europës dhe Kupën Ndërkontinentale.

Pra, cili mund të quhet Juventusi më i fortë i të gjitha kohëve?

Sfidanti.al