“Efekti Konte” bën që të shiten të gjitha biletat sezonale!

Sezoni veror i transferimeve është në vazhdim e sipër, ndërkohë që lëvizjet e mëdha pritet që të bëhen gjatë korrikut dhe gushtit. Por, megjithatë, mjaftoi që në stolin e drejtimit të Interit të ulej Antonio Konte, që tifozët t’i përfshijë euforia.

Klubi interist njoftoi në uebsajtin e vet zyrtar se janë shitur të gjitha biletat për sezonin 2019-2020 dhe se kjo ndodh për herë të parë në historinë e këtij klubi italian. Madje është bërë edhe “lista e pritjes” për sezonin 2020-2021!

Rreth 30 000 bileta sezonale të stadiumit “Xhuzepe Meaca” tanimë janë rezervuar, kurse biletat e tjera të këtij stadiumi që ka një kapacitet prej 80 000 vendesh, do të shiten në internet dhe në sportelet e biletarisë rreth stadiumit.

Deri tani, e vetmja risi në formacionin e Interit për sezonin e ri është ardhja e mbrojtësit uruguaian, Diego Godin, që erdhi si lojtar i lirë nga Atletiko e Madridit.

Sfidanti.al