E kujtoni Zvezdën? Ekipi që vuajti me Tiranën e Egbosë po bën “namin” në Europë!

Fitorja e fundit ishte 2-0 në fushë të huaj, në Belgjikë ndaj Gentit. Ky është momenti i Crvena Zvezdës, kampiones së Serbisë që po lufton në emër të Ballkanit ashtu si Dinamo e Zagrebit e Kroacisë, duke pasur shanse të mëdha për kualifikim në turin e dytë të Ligës së Europës. Siç thonë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, “për ta kaluar pranverën në Europë”.

E mbani mend besoj se ky ekip, Crvena Zvezda, thuajse u eleminua nga Tirana e trajnerit Emanuel Egbo në turin e dytë paraeleminator të Championsit, kur dy ekipet u ndeshën në “Arenën Air Albania”, dhe kur kampionët e Shqipërisë humbën raste të pastër e nuk patën fat. Ish-kapiteni i Zvezdë, ish-lojtari e trajneri i Tiranës, Ivan Gvozdenoviç, tha në atë kohë se “Tirana meritonte kualifikimin pasi luajti më mirë”.

Në Shqipëri, në atë kohë, pati nga ata që thanë se “ishte Zvezda dobët, jo Tirana mirë”, por koha po tregon të kundërtën. Pas humbjes 0-2 në fushën e Hofenhajmit në ndeshjen e parë në grupe, ekipi i trajnerit Dejan Stankoviç ka njohur veç fitore.

Sfidanti.al