Duhej Pionteku që Milani të kthehej përsëri në “djall”

Vetëm 23 vjeç dhe me 25 gola në sezon. Për Milanin, vlejnë më shumë 6 rrjetat që ka shënuar me fanelën e tij, dhe falë Kristof Piontekut skuadra e madhe kuqezi është kthyer sërish në “djall”, ashtu si dikur me Riverën, Van Bastenin apo Shevçenkon. Fitorja 3-1 në fushën e Atalantës ishte një sinjal i fortë për Serinë A, se shtatë herë kampionët e Europës po e rigjejnë vetveten.

Plotësisht në zonën Champions, por me ecuri të shkëlqyer në 2019, “kryefjala” është Pionteku. Sulmuesi polak shënoi dy herë në Bergamo, në një ndeshje aspak të lehtë, ndaj një skuadre që ka mundur Interin dhe ka eleminuar Juventusin nga Kupa e Italisë. Ndaj Piontekut, ama, nuk ia doli. Bashkë me sulmuesin, shënoi edhe Hakan Çalhanoglu, që nëse luan siç di, bëhet i papërmbajtshëm.

“Gjithçka ndryshoi vetëm prej Piontekut, – deklaroi pas ndeshjes trajneri i Atalantës, Gasperini, – ne luajtëm shumë mirë, por ishin golat e tij që vendosën, sidomos barazimi në minutën e fundit të pjesës së parë. Piontek është i jashtëzakonshëm”. Gasp ka të drejtë, pasi pjesën e parë Atalanta pati epërsi. Maldini nuk e zgjat shumë: “Pionteku më kujton Shevçenkon”. Në sezon, Pionteku ka 17 gola në Serinë A (2 më pak se CR7-ta), por  25 në sezon, 4 më lart se Ronaldo.

Sfidanti.al