Dëmtim i rëndë për Ibrën … në ditën e tragjedisë së Stambollit!

Qenka e thënë që 25 maji nuk mund të jetë edhe aq i lumtur për Milanin. Ndërsa ishte lënë pas prej 15 vjetësh tragjedia e finales së Championsit ndaj Liverpulit në Stamboll, në të njëjtën datë (veçse tani) vjen lajmi i kobshëm: Zllatan Ibrahimoviç dëmtohet dhe mund të mungojë për një kohë të gjatë. Me Serinë A që mund të rinisë në qershor, dhe me Milanin që e ka mbështetur projektin e tij tek sulmuesi suedez, nuk mund të kishte njoftim më të keq.

Ibra ka dëmtim në tendinin e Akilit (dyshohet për këputje), diçka serioze për çdo lojtar, aq më tepër për një 38-vjeçar, ndaj jo më kot mediat në Itali dhe në Europë ngritën pyetjen: Mos vallë ky është fundi i karrierës për legjendën suedeze? Tifozët kuqezinj u sulën menjëherë në rrjetet sociale, për të zbrazur tronditjen dhe dëshpërimin e tyre, dhe mbizotëronte pyetja: Përse duhej të ndodhte sot në ditën e Stambollit? Në 25 maj 2005, Milani humbi finalen e Championsit ndaj Liverpulit, pas gjuajtjes së penalltive, ndonëse e kishte mbyllur pjesën e parë në avantazh 3-0.

Sfidanti.al