Cili është ndryshimi mes Lebron Xhejmsit dhe Kobi Brajantit?

Xhordan Klarkson është një nga basketbollistët e rrallë në ligën NBA që ka pasur shansin të luajë më kolosë të tillë të basketbollit amerikan, si Lebron Xhejms dhe Kobi Brajant. Këto ditë, ai u përpoq që të vinte në dukje ndryshimin mes këtyre dy legjendave të basketbollit botëror. Në dy vitet e para të karrierës së tij, Klarksoni ka luajtur me Kobi Brajantin te Los Anxhelos Lejkërsat, ndërkohë që, tani, ai është mësuar të luajë në Klivlend me Lebron Xhejmsin.

Klarksoni vuri në dukje se ndryshimi mes dy basketbollistëvenë fushë është evident, pasi ata janë të ndryshëm sa i përket mënyrës sesi i udhëheqin ekipet e tyre. Sipas tij, Kobi kërkon më shumë nga bashkëlojtarët e tij, ndërsa Lebroni e konsideron veten si përgjegjësi kryesor për gjithçka që ndodh në ekipin e tij.

“Lebroni ndërton vetbesimin tonë. Ai ushtron presion kundrejt bashkëlojtarëve që ata të bëhen më të mirë dhe, gjithnjë, është i gatshëm që t’i ndihmojë të tjerët. Kobi është ndryshe, kur është fjala për lidershipin në ekip. Ai të nxit që, ti, të japësh më shumë për ekipin. Edhe ai më inkurajonte, por në një mënyrë tjetër, por, sidoqoftë, ata të dy janë liderë të shkëlqyer në fushë”, tha Klarksoni.