Çfarë po ndodh në Francë! Marsejës nuk i bën punë as policia!

Në Itali flasin për Napolin si për qytetin e tmerrshëm, ku mund të biesh pre e banditizmit. Duhet të ketë ndonjë qytet të spikatur çdo vend me probleme të rendit, por që t’i ndodhte kështu edhe Francës së kulturës, kjo nuk pritej. Ndoshta, jo në Paris, Lion apo Bordo, por ja që franceze është edhe Marseja. Po e ndjen fort skuadra e qytetit, Olimpiku. Një shtet që është betuar të mposhtë terrorizmin, e ka të vështirë të mbrojë disa nga qytetarët e tij më të paguar, futbollistët e Marsejës.
Rasti i fundit ishte ai i Florent Tovenit, të cilit hajdutët i dolën përpara ndërsa po parkonte makinën për të shkuar në shtëpi. Për fat, Toven u tregua i shkathët, duke u larguar me shpejtësi, madje duke arritur të kyçte edhe makinën e tij, por të tjerë nuk ia kanë dalë. Ish-marsejezi Lemina u grabit dhe u godit në shtëpi në sy të gruas shtatzënë, qendërmbrojtësi Hilton u godit me qytën e pistoletës në prani të fëmijëve për t’i marrë 100 mijë euro (u transferua më pas në Monpelje). E pësoi edhe argjentinasi Luço Gonzales, të cilit i morën makinën në garazh, dhe ai u kthye me vrap tek Porto.
Vëllezërit Aje u grabitën tri herë në pak muaj, herën e fundit në mënyrë të dhunshme, por edhe ata ikën nga qyteti, shkuan në Premier Ligë. Në fillim të viteve 2000 lojtarët shpesh grabiteshin në rrugën drejt kompleksit të stërvitjes, siç i ndodhi vjet edhe Lasana Diarrasë. Nuk shpëtoi as Zhibril Sise. Gjithsesi, u duk se gjendja po përmirësohej pasi në janar klubi i dha fund pagesës së rojeve private, që i kushtonin gjysmë milionë euro në vit, por tani ka nisur t’i paguajë sërish. Ashtu si në Siçili apo Napoli, lojtarët shpesh merren vesh vetë me krerët e kriminalitetit të organizuar, në mënyrë që të lihen të qetë. Kuptohet, marrëveshja bëhet mbi baza financiare. Në këtë klimë, duket e vështirë që të ketë sukses projekti i pronarëve të rinj amerikanë, dhe i ish-trajnerit të Romës, Rudi Garsia.