Çfarë po ndodh me Kristianon, përse mund të dënohet në Spanjë?!

Kur Kristiano Ronaldo erdhi tek Reali i Madridit në 2009, futbollistët nuk kishin asnjë problem me drejtësinë. Spanja ishte një “parajsë” për lojtarët milionerë, me taksa të ulëta dhe rregulla të lirshme. Kjo nisi të ndryshojë në vitin 2014, dukshëm për shkak të krizës ekonomike dhe për shkak të problemeve me papunësinë, që e detyruan shtetin spanjoll të merrte masa shtesë.

Ylli portugez është në rregull me tatimet lidhur me rrogën që merr si lojtar i Realit, veçse pyetja është se nga i ka ardhur ky telash? Në 2014, autoritetet spanjolle nisën të merreshin me kompanitë që krijonin futbollistët për të drejtat e tyre të imazhit. Kompanitë krijoheshin jashtë Spanjës, në vende ku taksat ishin më të ulëta si në Irlandë apo Ishujt Virixhinie Britanike, veçse autoritetet tatimore gjykuan që nga viti 2014 se të ardhurat e futbollistëve fitoheshin në Spanjë, qoftë edhe ato që kishin lidhje me imazhin, pavarësisht se ku e kishte selinë kompania që merrej me to.

Kur këto kompani e kishin selinë në Spanjë, shteti nuk e bëri problem çështjen e imazhit, duke qenë se përfitonte diçka prej tyre, ndërsa tani është ndryshe.

Fillimisht, Ronaldo pagoi 6 milionë euro për të qenë në rregull, por kjo nuk u quajt e mjaftueshme, dhe tani ai mund të shkojë në gjyq për shumën e pretenduar prej 14.7 milionë eurosh. Ekziston mundësia që portugezi të pranojë gabimin dhe të paguajë një gjobë, por edhe mund të marrë një dënim si ai i Mesit me 21 muaj burg. Gjithsesi, ligjet janë ndërtuar në mënyrë të tillë, që edhe i dënuar, ai nuk do të futej në qeli sepse e ka për herë të parë, njëlloj si Mesi.

Sfidanti.al