Çfarë “kocke e fortë” kjo Atletiko, por megjithatë Reali po bind!

Superkupa e Spanjës i takoi me meritë, ndonëse shumë larg shtëpisë. Reali i Madridit kaloi me penallti Atletikon po të Madridit në stadiumin e Mbretit Abdullah në Arabinë Saudite, dhe ndonëse u deshën penalltitë, mund të thuhet se gjithçka ishte e merituar. Skuadra e Zinedin Zidanit nuk mundi të shfaqte atë epërsi si ndaj Valencias në gjysmëfinale, por gjithsesi pati më shumë cilësi dhe organizim, si dhe detyrim më të madh për të fituar titullin e parë të sezonit.

Ishte pak e çuditshme që dy ekipet, stadiumet e të cilëve nuk janë më shumë se 10 km larg njëri-tjetrit, u ndeshën në një derbi gati 6 000 km larg Madridit. Stadiumi me 62 000 vende, i pati 3 000 vende bosh, dhe duhej të ishin ata që të zhgënjyerit që nuk patën mundësi të shikonin Lionel Mesin. Më i miri për Atletikon ishte portieri Oblak që bëri 3 pritje në pjesën e parë (Kasemiro, Modriç, Mendi), dhe po ashtu edhe pas pushimit. Gjithsesi, më i mirë ishte Kurtua, ish-gardiani i Atletikos, që i dha Realit Superkupën me pritjet e tij, dhe me rezultatin 4-1 pas 11-metërshave.

“Nuk ishte e lehtë, – u shpreh Zidan pas ndeshjes, – për fat, patëm durim, qetësi. Nuk po shënonim dot gola, por besuam deri në fund. Kurrë nuk është e lehtë të fitosh një trofe, sidomos ndaj Atletikos, ndërsa tani sfidat e sezonit do të vazhdojnë”.

Sfidanti.al