Çelsi pa frikë nga klauzola 700-milionëshe e Iskos: E marrim më lirë!

Isko është një nga “çmimet” më të kërkuara dhe me fatin më misterioz në tregun e futbollit. Ylli i Realit të Madridit ka mundësi të largohet nga skuadra, i pakënaqur nga aktivizimi i paktë që po i bën trajneri Zinedin Zidan, ndërsa nuk mungon “radha e gjatë” e klubeve që ë kërkojnë.

Njëri prej tyre është Çelsi, edhe pse Blutë e Londrës duhet të sistemojnë një herë çështjen e trajnerit. Klubi anglez nuk duket shumë i shqetësuar nga kostoja e operacionit “Isko”. Lojtari vërtet ka një klauzolë shitjeje prej 700 milionë eurosh, pas rinovimit të kontratës, por lënia shpesh herë në stol, mund të bëjë që në verë, kartoni i tij të mos kushtojë më shumë se 100 milionë euro. Natyrisht, i takon vetë Iskos të vendosë, ashtu si edhe Zidanit të bëjë ndonjë “korrigjim” në skemat e tij.

Çelsi nuk është i vetmi që interesohet për futbollistin, pasi Juventusi mund ta synonte nëse do të humbiste Dibalën, dhe po ashtu Koke i bëri një ftesë tek Atletiko e Madridit (nga e cila do të largohet Grizman). Mançester Siti, ndërkaq, nuk është shumë i interesuar për të shpenzuar kaq shumë, qoftë edhe për Iskon.

Problemi i vetëm me këtë yll është se ai mund të shkëlqejë vetëm në dy skenarë: Ose kur në fushë ka lojtarë që e mendojnë lojën si ai, siç është rasti i Spanjës, ose kur ai është njeriu kryesor dhe loja e skuadrës ndërtohet rreth tij.

Sfidanti.al