Cana mes legjendave, për t’i kujtuar Marsejës historinë

Në Marsejë, Lorik Cana mbetet një legjendë. Ish-kapiteni i Kombëtares sonë, këtë fundjavë u rikthye sërish në “Velodrome” dhe tifozët treguan, se për ta ai mbetet i paharruar. Loriku këtë të diel ishte i ftuar nga klubi bashkë me emra të të tjerë të njohur, si Papen, Boli, Angloma apo Bogosian, për të marrë pjesë në takimin mes legjendave të kësaj skuadre, organizuar me qëllimin për të kërkuar ndihmën e tyre, për ta rikthyer skuadrën në majat më të larta të futbollit francez dhe atij ndërkombëtar. Pra legjendat e dikurshme janë thirrur sërish në publik, për së sjellë në vëmendje kohët e arta kur ishin në fushë, ashtu siç ishte periudha e Lorikut, kur ai mbante në krah shiritin e kapitenit.

Bashkë me legjendat e tjera të ekipit, Cana ndoqi në stadium ndeshjen e kësaj të diele mes Marsejës dhe Lilës, me ekipin vendas që ju përgjigj thirrjes së tyre, duke fituar pastër 2:0, me gola të Gomis dhe Tauvin. Lorik Cana ka luajtur 122 ndeshje me Marsejën, ku u transferua nga një tjetër gjigand i futbollit francez, Paris SG.

Sfidanti.al