Bundesliga, 750 milionë euro humbje, dhe 6 klube rrezikojnë “jetën”!

Ky është njoftimi i “Bildit”, ndërsa sot do të ketë një mbledhje të Federatës Gjermane të Futbollit, organizatorëve të kampionatit, dhe klubeve. Në një situatë të paprecedentë, nuk dihet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por sidoqoftë, duhen bërë disa plane. Imagjinohet që sezoni mund të nisë pas 3 javësh, besohet nga data 3 prill. Gjithsesi, kjo varet sesi do të jetë ecuria e epidemisë së koronavirusit dhe e perceptimit të opinionit publik.

“Bild” njofton se nëse kampionati dështon, humbjet e 18 klubeve do të arrinin në 750 milionë euro, një shifër vërtet tepër e lartë. Po ashtu, e përditshmja shkruan se 6 klube rrezikojnë falimentimin. Nuk jepen emra, por besohet se janë klubet me më pak mundësi financiare si Paderborni, Mainci, Fortuna e Dyseldorfit, Unioni i Berlinit, ndoshta edhe Augsburgu apo Verderi. Shumëçka do të varet nga vendimi i UEFA-s për fatin e Kampionatit Europian. Nëse Euro 2020 do të shtyhet, do të ketë më shumë kohë për të mbyllur Bundesligën, dhe besohet se UEFA do të veprojë pikërisht kështu.

Sfidanti.al