“Bum” në Champions! Barcelona pëson katër gola në Paris!

“Dhe vjen një ditë”, “Muzgu i Perëndive të stepës”, “Krisma në Paris”! Cilin nga këta tituj të filmave të dikurshëm shqiptarë doni që t’ia vendosim katastrofës së Barcelonës në kryeqytetin e Francës? Pak rëndësi ka titulli, kryesore është ajo që vjen më pas, ndërsa duket se një tjetër cikël i madh i katalanasve mori fund. Paris SG fitoi 4-0 ndaj skuadrës më të shkëlqyer të shekullit të 21-të dhe, duke përjashtuar ndonjë të papritur të jashtëzakonshme, mund ta quajë veten të kualifikuar për në çerekfinale.

Angel Di Maria, Julian Draksler, sërish Angel Di Maria dhe Edinson Kavani shënuan golat me përpikmëri të plotë në stadiumin “Park dë Prens”, në minutat 18, 40, 55 e 71. Një katastrofë e tillë shënoi fundin e ciklit të parë të “blaugranave” në pranverën e vitit 2013, kur Bajerni i eleminoi duke u shënuar 7 gola në dy ndeshje, dhe në verë të atij viti erdhi në stol Luis Enrike. Këtë verë, me siguri thuajse të plotë, në stol duhet të ulet një trajner tjetër.

Përballë kryeveprës pariziene të ish-trajnerit të Seviljes, Unai Emeri, nuk mundën të bënin agjë emra të tillë të magjishëm si Lionel Mesi, Andres Iniesta, Sergi Buskets apo Gerard Pike. Mos vallë ka ardhur koha e ndryshimeve drastike në “Kamp Nou”, dhe rreth Mesit duhet të krijohet një skuadër e re? Përgjigjen do ta japin shpejt drejtuesit e lartë të Barcelonës.

E sigurt është që Paris SG u paraqit për herë të parë si superfuqi europiane, që kur sheikët arabë investuan milionat e tyre në klub në vitin 2011. Barça po eleminohet për herë të parë, pasi tri herë radhazi ua preu rrugën në garën kryesore të klubeve në kontinent.

Në ndeshjen tjetër të turit të dytë, luajtur sonte, Benfika arriti një fitore të vogël, por shumë të rëndësishme 1-0 në Lisbonë ndaj Borusias së Dortmundit. Sulmuesi grek, Konstantinos Mitroglu shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 48-të, ndërsa Obamejang humbi penallti për miqtë 10 minuta më vonë.

Sfidanti.alpsg1 barca 4-0