Blerjet e mëdha të Tiranës, “peshku në det, tigani në zjarr”!

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, deklaroi se sezonin që vjen, në skuadrën e tij do të jenë katër lojtarë të rëndësishëm, me të cilët do të pretendohet shumë më tepër se këtë vit. “Do t’i kthejmë lavdinë Tiranës”, – u shpreh presidenti, ndërsa jepte emrat e futbollistëve, me të cilët u shpreh se kishte rënë dakord.

Ky, padyshim që është një lajm shumë i mirë për tifozët bardheblu, por edhe ata më “fanatiksat” mjafton t’i hedhin sytë renditjes, dhe të thonë: Ne rrezikojmë ende! Mjafton që Tirana të humbasë në derbi, ose edhe të barazojë, dhe pastaj të humbë ndeshjen direkte me Kastriotin, dhe mund të bjerë nga Superliga.

A ia vlen të flitet sot për atë që do të ndodhë nesër, kur 100 për qind e vëmendjes duhet të përqëndrohet tek lufta për mbijetesën? Siç thonë trajnerët, “gjëja më e rëndësishme është ndeshja e radhës”. Më kujtohet janari, kur presidenti deklaronte përpara nisjes së gjysmës së dytë të sezonit se “Tirana është për Europë”. Trajneri Mema, më realist, deklaroi se skuadra e tij ka synim kryesor mbijetesën. Gjithë diskutimi bëhej për kapacitetin e ekipit në Superligë, jo për mundësinë për të dalë në Europë nga Kupa. Gjithsesi, Halili le të presë fundin e sezonit, sepse nëse ndodh ndonjë e pabërë, lojtarët e rëndësishëm nuk vijnë në Kategorinë e Parë.

Sfidanti.al