Berisha lufton e dëmtohet, por nuk ndal dot Interin që të dalë në krye!

U luajt në “San Siro”, veçse nuk qe aspak e lehtë, edhe pse fundi ishte i lumtur. Etrit Berisha bëri heroizma sidomos pranë fundit të ndeshjes, madje edhe u dëmtua, por nuk e ndaloi dot Interin që të fitonte 2-1 ndaj SPAL-it dhe të ngjitej në krye të renditjes së Serisë A. Të besuarit e trajnerit Antonio Konte e shfrytëzuan më së miri hapin e gabuar të Juventusit, dhe u ngjitën në kuotën e 37 pikëve ndaj 36 të kampionëve në fuqi.

Lautaro Martinez ishte heroi i ndeshjes, autor i të dy golave, që të dy në pjesën e parë, në minutat 16 e 41. Pas pushimit, skuadra mike nga Ferrara luajti më mirë dhe shkurtoi diferencën me anë të Matia Valotit. Në minutën e 83-të, zikaltërit patën mundësi të thellonin epërsinë, por portieri i kombëtares shqiptare nuk i lejoi, ndërsa u dëmtua pas një përplasjeje me Romelu Lukakun.

Në ndeshjet e tjera të Serisë A, Lacio shkëlqeu sërish duke mundur 3-0 në “Olimpiko” Udinezen, falë rrjetave të shënuara nga Imobile (dy herë) dhe Luis Alberto. Dy gola të Lacios ishin me penallti. Milani ia doli 1-0 në fushën e Parmës falë golit të Teo Hernandezit dy minuta para fundit. Pas 14 javëve, Interi kryeson me 37 pikë ndaj 36 të Juventusit, ndërsa Lacio është e treta me 30 pikë. Milani mbetet ende prapa, në kuotën e 17 pikëve në vendin e 11-të.

Sfidanti.al