Barcelonë qiellore edhe me “bebet”, Interi e sheh Championsin në TV!

“Barça e fëmijëve të tmerrshëm ngrin “San Siron”, Interi në Ligën e Europës”. Ky ishte titulli i “La Gazeta delo Sportit” në Milano, ndërsa “Marka” në Madrid shtonte se “dy fëmijë pushtuan Milanon dhe rrëzuan Interin”. Shumë domethënës konkluzionet pas ndeshjes së fundit në grup në Ligën e Kampionëve, që përcaktoi eleminimin e skuadrës së Antonio Kontes.

Edhe pse miqtë ishin të kualifikuar që më parë, dhe u paraqitën në fushë me një ekip B, sërish zikaltërit nuk e përballuan dot presionin e ndeshjes vendimtare. Pa Mesin, Pikenë, Ter Shtegenin, Dembelenë, Zhordi Albën, Arturin e Semedon, me Suarezin e De Jongun vetëm 25 minuta në fushë dhe me mjaft djem të rinj, “blaugranët” sërish ishin superiorë. E mbajtën topin mbi 60 për qind, gjuajtën më rrezikshëm drejt portës së Handanoviçit dhe shënuan me anë të Karlez Perezit dhe Ansi Fatiut. Romelu Lukaku i dha barazimin e përkohshëm Interit, por edhe gjigandi belg u duk i dobët përballë katalanasve.

Interi shkon në Ligën e Europës pasi Dortmundi ia doli në “Signal Iduna Park” ndaj Sllavias së Pragës, edhe pse me shumë vështirësi. Xhejdën Sanço e Julian Brant i dhanë fitoren 2-1, dhe Tomas Souçek barazoi në 44’ për çekët.

Në grupet e tjerë, bie në sy eleminimi i Ajaksit në H, pas humbjes shtëpiake 0-1 ndaj Valencias, me rrjetën përcaktuese të spanjollëve shënuar nga Rodrigo Moreno. Çelsi kaloi duke vuajtur me fitoren 2-1 ndaj Lilës. Tami Abraham dhe kapiteni Azpilikueta realizuan për 35’, por francezët u përgjigjën me sulmuesin Lua Remi.

Eleminohet edhe Zeniti i Shën Peterburgut me humbjen 0-3 në Lisbonë ndaj Benfikës, që shkon në Ligën e Europës. Çervi, Pizi dhe Azmun (autogol) ishin autorët e rrjetave, ndërsa rusët luajtën me 10 lojtarë pasi Dagllas Santo doli me të kuqe në 56’. Lioni shpëtoi në fund kur barazoi 2-2 me Lajpcigun. Të dy ekipet kaluan në turin tjetër.

Grupi E: Napoli-Genk 4-0, Salcburg-Liverpul 0-2. Liverpuli 13, Napoli 12, Salcburgu 7, Genku 1.

Grupi F: Inter-Barcelona 1-2, Dortmund-Sllavia Pragë 2-1. Barcelona 14, Dortmundi 10, Interi 7, Sllavia 2.

Grupi G: Benfika-Zenit 3-0, Lion-Lajpcig 2-2. Lajpcigu 11, Lioni 8, Benfika 7, Zeniti 7.

Grupi H: Ajaks-Valencia 0-1, Çelsi-Lilë 2-1. Valencia 11, Çelsi 11, Ajaksi 10, Lila 1.

Sfidanti.al