Barcelona në fitoren e 8-të radhazi, anglezët të papërballueshëm!

Nuk pati gol këtë herë nga Lionel Mesi. Argjentinasi ishte në fushë dhe bëri mjaft, por Sportingu në stadiumin e vet në Lisbonë, nuk është nga ato ekipe për të rregulluar balance apo për të synuar Këpucën e Artë. Gjithsesi, Barcelona fitoi dhe arriti suksesin e tetë radhazi në këtë edicion, në mes kampionatit dhe Championsit. Luis Suarez dërgoi topin në rrjetë, por me një devijim vendimtar të Sebastian Koatesit, dhe goli i minutës së 49-të u quajt autogol. Trajneri Valverde e nisi ndeshjen me një formacion klasik, veçse me skemën 4-4-2, ku Pike, Ymtiti, Semedo e Zhordi Alba ishin në mbrojtje, Iniesta, Buskets, Rakitiç e Sergi Roberto në mesfushë dhe Mesi e Suarez në sulm. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Paulinjo dhe Andre Gomes. Katalanasit ishin më lart se portugezët, edhe pse shënuan vetëm një (auto) gol dhe Barça ka 6 pikë në krye të grupit, ashtu siç është edhe në krye të ligës spanjolle.

Po në këtë grup, Juventusi e la vonë fitore ndaj Olimpiakosit. Pa trajnerin Besnik Hasi në stol, tashmë të larguar, grekët luftuan fort, por u dorëzuan në 20 minutat e fundit. Normal, futbolli luhet 90 minuta plus shtesat dhe Gonzalo Higuain shënoi në 69’, e Mario Manxhukiç në 80’. Juventusi arriti fitoren e parë, duke u barazuar me pikë me Sportingun që kishte fituar javën e kaluar në Pire ndaj Olimpiakosit.

Të papërballueshme skuadrat angleze. Çelsi ia doli në një provë force, në Madrid ndaj Atletikos që është si një “arrë gungëse”, veçse që u thye më në fund nga blutë e Antonio Kontes. Italiani fitoi betejën e trajnerëve me Diego Pablo Simeonen, si dhe një revansh indirekt me Diego Kostën që ishte në tribunën e stadiumit “Uanda Metropolitano”. Antuan Grizman kaloi vendasit në epërsi me penallti në 40’, pastaj i përhershmi Alvaro Morata barazoi në 60’, duke ndjerë me siguri kënaqësi që i shënoi gol rivalit prej derbi të Realit. Goli i fitores për anglezët, në sekondat e fundit nga Baçuai.

Edhe Mançester Junajtid ka po atë formë që po tregon në Premier Ligë dhe besohet se skuadrat angleze janë pretendente serioze këtë edicion për Championsin. Sukses i madh 4-1 në fushën e CSKA-së së fortë të Moskës, me sulmuesin kryesor Romelu Lukaku në formë të mrekullueshme, autor i dy golave. Një rrjetë nga Antoni Marsial me penallti, dhe një nga sulmuesi armen, Henrik Mkitarian. Edhe më e thellë fitorja e Bazelit në Zvicër ndaj Benfikës. Plot 5-0 për ekipin e Taulant Xhakës që ishte në fushë dhe mori të verdhë, me golat e shënuar nga Lang, Oberlin, Van Volfsvinkel, sërish Oberlin dhe Riveros.

Grupi A: Bazel-Benfika 5-0, CSKA-Man. Junajtid 1-4. Man. Junajtid 6 pikë, Bazel 3, CSKA 3

Grupi B: Paris SG-Bajern 3-0, Anderleht-Sëlltik 0-3. PSG 6, Bajern 3, Sëlltik 3

Grupi C: Karabak-Roma 1-2, Atletiko-Çelsi 1-2. Çelsi 6, Roma 4, Atletiko 1

Grupi D: Sporting-Barcelona 0-1, Juventus-Olimpiakos 2-0. Barcelona 6, Juventus 3, Sporting 3

Sfidanti.al