Barcelona jashtë Championsit, Roma realizoi mrekullinë!

“Bomba” e madhe “plasi”. Barcelona gjigande doli jashtë Ligës së Kampionëve, e eleminuar nga një skuadër me emër “vogëlush” si Roma. Nuk u bënë punë mjeshtrave të futbollit identitetet impresionuese të Mesit, Suarezit, Iniestës, Pikesë apo kampionëve të tjerë, ndërsa italianët e merituan plotësisht.

Trajneri Ernesto Valverde provoi zhgënjimin e parë të madh të sezonit, humbjen e parë dhe eleminimin, veçse më e keqja është se skuadra e tij nuk fitoi asnjë vlerësim, siç ndodhte në kohën e Pep Guardiolës apo Luis Enrikes, pasi nuk luajti thuajse fare futboll.

Roma, ndërkaq, bëri gjithçka për t’u kualifikuar. Skuadra italiane doli nga fusha me kokën lart, jo vetëm si e kualifikuar, por edhe pasi dominoi ndaj Barcelonës që nga minuta e parë deri në të fundit,

Trajneri Euzebio Di Françesko hodhi në fushë një skuadër që vërtet besoi në vetvete, duke ushtruar presion të fortë, e duke shfrytëzuar shpejtësinë më të madhe, dëshirën absolute dhe forcën fizike të futbollistëve për të arritur një rezultat që do të mbahet mend gjatë në Champions.

Edin Xheko, Daniele De Rosi me penallti dhe Manolas ishin autorët e golave në minutat 6-të, 58-të e 82-të. De Rosi e Manolas këtë herë e korrigjuan shënjestrën, pasi në “Kamp Nou” kishin shënuar gol në portën e tyre, duke ndihmuar Barcelonën të arrinte një fitore të thellë 4-1.

Ky ishte një aksident i rëndë i asaj që quhej si skuadra më e mirë e sezonit, në një mbrëmje kur dy ekipet favorite të Championsit mbetën jashtë. i tillë është futbolli, ndërsa katalanasve do t’u duhet të heqin dorë nga mendimi se mjafton të mbështeten tek Mesi dhe mund të fitojnë gjithnjë.

Roma u tregoi të kundërtën, dhe ku i dihet, publiku i “Qytetit tyë Përjetshëm” shpreson që ekipi i tyre të shkojë në finale të Championsit, siç bëri në 1984, kur luanin Konti, Graciani, Falkao, Serezo, Pruco apo Di Bartolomeo.

Sfidanti.al