Barça-Mesi, mos vallë ky është divorci më i madh i futbollit?

Atë klauzolën për t’u larguar kur të dojë, nuk e ka kotë në kontratë. Lionel Mesi vërtet e quan Barcelonën si shtëpinë e tij, veçse njeriu edhe mund të largohet nga shtëpia, dhe në moshën 32-vjeçare, argjentinasi duket se i ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj “prindërve”. Konflikti i fundit me Erik Abidalin është thjesht “qershia mbi tortë” e një historie pakënaqësish të kapitenit me drejtuesit e lartë katalanas.

Jo më kot, mediat në Madrid e quajnë presidentin Bartomeu si më të paaftin në historinë e Barcelonës, dhe natyrshëm që ky president do të zgjedhë drejtues të tjerë “si veten”. Me gjasë, kjo i ka ardhur në majë të hundës Mesit, ndërsa “blaugranët” kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë gabime njëri pas tjetrit në planifikim, në blerje e shitje, duke shpenzuar pa fund e duke mos krijuar dot një skuadër të denjë për Championsin.

Mesi dëshiron të fitojë Championsin, kjo është e sigurt, pasi ka thyer thuajse çdo rekord në futbollin spanjoll. Mediat britanike shkruajnë se Pep Guardiola mund të përpiqet ta bindë që ta marrë tek Mançester Siti, dhe “me një gur, do të vriste dy zogj”, do të ndihmonte Mesin të triumfonte, dhe do të ndihmonte veten që ta nxirrte nga kriza ekipin e tij.

Sfidanti.al