Barça ka më shumë konflikte të brendshme sesa fitore!

Suksesi minimal në “Kamp Nou” ndaj Sociedadit thjesht siguroi një qetësi, që mund të dalë edhe e rreme. Një Barcelonë kryesuese e La Ligës është çudia e madhe që vjen nga Spanja, ndonëse Reali ka një ndeshje më pak, por me realitetin që po përjeton klubi katalanas edhe kjo duket një mrekulli. Konfliktet e brendshme duken më të shumtë sesa sukseset në fushë, dhe pas atij me drejtorin Abidal e me presidentin Bartomeu, ndodhi edhe ky me ndihmësin e Kike Setienit, Eder Sarabian. Përpara ndeshjes me Sociedadin u tha se pati zemërim të madh të skuadrës me Sarabian, pas fjalëve që ai tha që nga stoli ndaj Grizmanit, në “Bernabeu”, ndonëse kapiteni i dytë, Gerard Pike, e mohon këtë gjë.

Vetë Sarabia foli dhe tha se do të vazhdonte të ishte vetvetja, me të mirat dhe të këqijat e tij, ndonëse Setien vendosi t’i kërkonte falje lojtarëve. Situata e vështirë u ndje ndaj Sociedadit, ku Barça nuk bindi me lojë, dhe ku Mesi u duk sërish jo në formën e tij maksimale, duke mos u tërhequr prapa për të organizuar lojën që nga thellësia e mesfushës. Penalltia (e drejtë), që i dha mundësi kapitenit të shënonte, nuk mund ta fshehë faktin se Barça shpesh nuk organizonte dot aksionet që nga portieri, e duket se mbrojtësit e qendrës e mesfushorët nuk ishin pranë e nuk ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Diçka që nuk ndodhte në kohën e Valverdes. Gazeta “Marka” parashikon se kjo Barcelonë, pavarësisht se është në krye të La Ligës dhe pranë çerekfinaleve të Championsit, vështirë të fitojë trofe të rëndësishëm.

Sfidanti.al