Barazimi me Eibarin mbyll vitin e tmerrshëm të Barcelonës!

Mungesa e Mesit ishte një paralajmërim i vërtetë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, ndërsa barazimi me Eibarin në “Kamp Nou” ishte mbyllja e vitit të tmerrshëm të Barcelonës. “Annus horribilis” thoshin latinët, dhe këtë shprehje e nxjerr nga “sënduku” e përditshmja “AS”. Katalanasit mbeten në vendin e 6-të në La Liga me 25 pikë në 15 ndeshje, duke rrezikuar seriozisht jo më titullin që vështirë se e arrijnë, por edhe kualifikimin në Champions.

“AS” theksoi se loja ishte e dobët dhe se sërish u treguan qartë gabimet e drejtuesve në planifikim, problemet e trajnerit dhe dobësia e lojtarëve. Në stol Ymtiti, Kutinjo dhe Dembele (që hyri në pjesën e dytë për të barazuar), në fushë të çoroditur Grizman, Brejthuejt, Pjaniç e De Jong, ndërsa ka shumë fytyra të reja si Dest, Mingeza, Firpo, Arauho apo Pedri.

Gjatë vitit 2020, Barça arriti në La Liga 20 fitore, 8 barazime e 7 humbje, fitoi 68 pikë nga 105 të mundshme, ndërsa kurrë që prej 15 vjetësh, katalanasit nuk kishin humbur më shumë se 33 për qind të pikëve (37). Në kontrast me ta, Reali ka fituar 82 pikë nga 105 të mundshme, duke humbur vetëm 23 pikë, me bilancin 26 fitore, 4 barazime, 5 humbje.

Sfidanti.al