Bajerni: Nëse më merrni një yll sulmi, unë marr një tjetër!

Robert Levandovski mund të jetë në rrugën drejt largimit për në Madrid, por tek Bajerni nuk është se po shqetësohen shumë. Superylli polak do të jetë 30 vjeç në gusht, dhe bavarezët kanë arritur “të shtrydhin” më të mirën nga ai, me plot 142 gola në 184 ndeshje, nga të cilët 100 në Bundesligë.

Presidenti Uli Hënes dhe shefi ekzekutiv Karl-Hajc Rumenige, së bashku me drejtorin sportiv Hasan Salihamixhiç kanë fiksuar objektivin, zëvendësuesin e “Levës”, që pritet të jetë një emër po kaq i madh, vetë “madhëria e tij”, Harri Kejn.

Sulmuesi i Totenhemit dhe kapiteni i Anglisë është njeriu perfekt me moshë vetëm 25-vjeçare dhe i sprovuar si një prej lojtarëve ofensivë më të mirë të botës. Ai fitoi Këpucën e Artë të Europës për vitin 2017 dhe njihet si personalitet shumë i fortë. Rroga e tij do të ishte pak a shumë sa ajo e Levandovskit (10 milionë euro në vit, por ndoshta edhe më shumë).

Kejn do të ishte i dyti anglez në historinë e Bajernit, pas Ouen Hargrivsit, mesfushorit që luajti në vitet 2000-2007 duke dalë kampion i Europës dhe duke qenë një sukses. Futbollistët anglezë nuk kanë qenë një “mall” shumë i kërkuar në Bundesligë, ndoshta edhe për çmimin e tyre të lartë, por për Kejnin, Bajerni është gati të bëjë sakrifica, dhe të paguajë ndoshta edhe 150 apo 200 milionë euro.

Nja 100 milionë do t’i fitonte nga Reali që do të merrte Levandovskin, ndërsa buxheti i del për pjesën tjetër. Kalimi i Kejnit në Mynih do të ngjante shumë me transferimin e bujshëm të Kevin Kiganit tek Hamburgu në 1977, një tjetër suksesi të madh anglez në Gjermani.

Sfidanti.al