Bajern-Real, Liverpul-Roma, dy sfida spektakolare në Champions!

Përse duhej hedhur një short I tillë? Për të prishur mundësinë e një finaleje të madhe, ndoshta, apo për t’i dhënë mundësi edhe jo favoritëve për të mbërritur deri në fund. Do të jenë Bajern-Real e Liverpul-Roma dy gjysmëfinalet e Championsit, me çiftin e parë që mund të quhet finalja e parakohëshme. Gjithsesi, UEFA ka menduar që t’i shpëtojë gjigandët spanjollë e gjermanë nga ndonjë e papritur e hidhur, si ajo që provoi Roma në çerekfinale.

Sidoqoftë, tifozët duhet të bëhen gati për të ndjekur dy klasike të tjera, në “Alianc Arena” dhe “Santiago Bernabeu”. Dy ekipet kanë 24 ndeshje mes tyre në Champions, me nga 11 fitore secili, dhe me bilanc thuajse të njëjtë, edhe pse madrilenët janë kualifikuar dy herët e fundit. Historinë po ashtu e kanë të madhe, me Bajernin pesë herë kampion të Europës, duke filluar që nga koha e Gerd Mylerit apo Bekenbauerit, për të aritur tek epoka e Nojerit, Lahmit, Riberisë e Robenit.

Reali ka fituar edhe më shumë dhe synon një tjetër rekord. Sezonin e kaluar u bë e para skuadër në Champions që mbron titullin, ndërsa tani dëshiron ta fitojë për herë të tretë radhazi. Padyshim, favorit është formacioni I Zidanit, me 12 tituj të Championsit në histori, më shumë se kushdo tjetër.

Ndeshja e pare luhet në Mynih në 25 prill dhe kthimi në Madrid në 1 maj.

Dueli tjetër, Liverpul-Roma, pritet të jetë ndoshta më spektakolar. Anglezët janë kthyer në ekip tipik të Jurgen Klopit, trajnerit më sulmues të Europës. Shpejtësia dhe agresiviteti I lojës së tyre eleminoi Mançester Sitin, me treshen e papërmbajtur Salah-Mane-Firmino. Liverpuli ka padyshim shumë më tepër histori sesa Roma duke qenë pesë herë kampion i Europës, për herë të fundit në 2005-ën.

Sidoqoftë, italianët janë përfaqësues mëse të denjë të Serisë A, pasi eleminuan favoriten e kompeticionit, Barcelonën. Kjo surprizë, më e madhja e sezonit, nuk do të harrohet aq shpejt dhe Jurgen Klop e di mirë sesa të vështirë do ta ketë skuadra e tij. Dy ekipet kanë luajtur një finale mes tyre në Kupën e mëparshme të Kampionëve. Në Romë, në 1984, fitoi Liverpuli pas gjuajtjeve të penalltive.

Ndeshja e pare luhet në Angli në 24 prill dhe kthimi në Itali në 2 maj.