Bajern, ky mund të jetë sezoni i “mbretërimit” në Europë!

Kurrë nuk mund të nënvleftësohet një fitore 5-1 ndaj Arsenalit të Londrës. Në një sezon kur Barcelona duket me të dyja këmbët jashtë Championsit, dhe kur Reali vështirë ta fitojë titullin (pasi kurrë nuk ka ndodhur dy herë radhazi), Bajerni i Mynihut besohet të jetë kandidati numër 1 për të fituar Ligën e Kampionëve. Bavarezët bënë çfarë deshën në sytë e gëzuar të 70 000 shikuesve në “Alianc Arena”, duke rregulluar ndeshjen ashtu siç duhet në pjesën e dytë, dhe duke qenë praktikisht në çerekfinale.

Një ekspert i Championsit si Karlo Ançeloti shpreson ta fitojë këtë garë për herë të katërt, pasi e ka bërë dy herë më parë me Milanin, dhe një herë me Realin. Italiani jo më kot tha përpara takimit se skuadrat gjermane kanë një erpërsi ndaj të tjerave, sidomos ndaj atyre angleze për shkak të pushimit dimëror të Bundesligës, dhe diferenca fizike u duk qartë, sa më shumë kalonin minutat. Gjithsesi, ishte edhe një formacion i mbushur me yje që luajti në perfeksion. Në fushë për Bajernin ishin Nojer, Lahm, Humels, Martinez, Alaba, Alonso, Vidal, Roben, Tiago Alkantara, Dagllas Kosta, Levandovski, ndërsa pas pushimit hynë edhe Rafinja, Kimih dhe Tomas Myler. Vetëm Reali mund të mburret se ka këtë potencial.

Arjen Roben shënoi shpejt, por Aleksis Sançez barazpeshoi ndeshjen, dhe kileni ishte i vetmi që luftoi siç duhet për “topçinjtë”. Nuk e bënë dot këtë gjë as luftëtarët e tjerë si Granit Xhaka apo Shkodran Mustafi që u ndëshkuan me kartona të verdhë. Një moment negativ ishte dalja me dëmtim i Loren Koshielnit, kur rezultati ishte 1-1. Katërmbëdhjetë minuta më vonë shifrat u ngjitën në 4-1. Golat u shënuan nga Levandovski, dy herë nga Tiago Alkantara dhe nga zëvendësuesi Myler. Arsenali deri tani është eleminuar tri herë në Champions nga Bajerni, dhe tani pritet të vijë eleminimi i katërt.

Sfidanti.albajern arsenal2bajern arsenal3