Bajern, do japësh 100 milionë për Ter Shtegenin, pra Nojerit “i jep duart”!

Edhe një klub “kurnacësh” (me shaka, kjo) si ai bavarez nuk ka ndërmend ta mbajë dorën “pa shpuar”. Lajmet janë që Bajerni do të japë 100 milionë euro për një portier. Një rekord i ri botëror për portën, ndonëse e ka gardianin legjendar, Manuel Nojerin. Flitet, madje, se në “Alianc Arena” mendojnë të “hedhin grepat” për një “peshk të madh” si Mark-Andre Ter Shtegen.

Po pra, po, për portierin titullar të Barcelonës, që vetë katalanasit duan t’i japin kontratë deri në 2024. Kjo, natyrisht, që nuk është zyrtare, por kur mediat gjermane dhe ato europiane e shkruajnë, do të thotë se diçka po ndodh. Bajerni beson se me Ter Shtegenin do të ketë portën të siguruar për të ardhmen, ndonëse në janar firmosi edhe me portierin 21-vjeçar të Shalkes, Aleksandër Nubel. Cilat mund të jenë arsyet që Ter Shtegeni të pranojë të ikë nga “Kamp Nou” për tek Bajerni? Arsyeja kryesore duhet të jetë ajo, që do ta ketë të sigurt postin si titullar në kombëtaren e Gjermanisë.

Sfidanti.al