Atletiko-Barcelona, ose Grizman që kthehet në “shtëpi”!

Çfarë entuziazmi shkaktoi verën e 2018-ës kur hodhi poshtë “uverturat” e Barcelonës, për të qendruar tek Atletiko. Antuan Grizman ishte një hero në atë kohë, veçse mesa duket mesazhi drejtuar tifozëve madrilenë ishte më tepër për nevojë sesa i dalë prej zemre. Ja ku jemi, një vit e ca më vonë, dhe Grizman e braktisi Atletikon për të shkuar pikërisht tek Barcelona, tashmë i bindur se ishte koha e duhur, dhe se mund t’ia dilte.

Sulmuesi francez kthehet sonte në “Uanda Metropolitano”, veçse si kundërshtar. Pse jo, një pjesë e tifozëve e shohin edhe si armik apo tradhëtar. Pa komentuar gjëra të tilla, le të themi se mbrëmja e sotme do të jetë shumë e vështirë për Grizmanin, pasi pritja nuk do të jetë e mirë. Për dreq, do të duhet të jetë patjetër titullar, sepse u dëmtua edhe Dembele, dhe treshja e sulmit e Barçës ka nevojë edhe për të, përveçse për Mesin e Suarezin.

Atletiko ende “e qan” Grizmanin. Trajneri Simeone kërkoi një lojtar që të bënte golat e tij, por nuk i erdhi. Për më tepër, Diego Kosta është i dëmtuar, dhe shpresa e Atletikos është tek Zhoao Feliksi, e më pak tek Alvaro Morata.

Sfidanti.al