Arsenali dhe Junajtidi, Europa është si melhem për “plagët”!

Kritikat kanë qenë të forta këto kohë për dy skuadrat e lavdishme. Arsenali dhe Mançester Junajtidi kanë qenë elita e futbollit anglez në vitet 1996-2004, por sot hosanatë janë kthyer në “kopaçe”, sidomos në Premier Ligë. Për fat, ekziston Liga e Europës, një kompeticion kontinental më i lehtë se Championsi, ku mund të arrihen fitore, edhe pse të vështira.

Arsenali ia doli ndaj Vitorias së Gimareshit në “Emirejts”, ndërsa Junajtidi kaloi Partizanin në Beograd. Londinezët triumfuan me vuajtje 3-2 në fushën e tyre falë të stërkritikuarit Pepe, që u “masakrua” për rastin që humbi në fushën e Shefild Junajtidit. Këtë herë, Pepe hyri si zëvendësues dhe shënoi dy herë nga goditja e dënimit duke përmbysur rezultatin në 3-2.

Edhe më e vështirë pozita e Mançester Junajtidit, që gjithashtu vuajti shumë në Serbi. Brandon Uilliams fitoi penallti pranë fundit të pjesës së parë, dhe Antoni Marsial ekzekutoi saktë, por skuadra nga Beogradi luftoi fort, pasi shumë “gjysmë raste”, dhe anglezët u mbajtën “me thonj” pas fitores. Fitore pati edhe për skuadrën e tretë angleze, Uolvesin, që mundi Slovanin e Bratislavës në Sllovaki, 2-1.

Rezultate jo të mira për italianët, me Lacion që u mund në fushën e Sëlltikut 1-2, pavarësisht golit të Laxarit. Kristi dhe Zhylien përmbysën shifrat për skocezët, ndërsa skuadra e Strakoshës humbi disa raste për shënim, dhe pagoi gabimet në mbrojtje. Roma barazoi 1-1 në “Olimpiko” me Borusian e Mynshengladbahut, ndonëse mbajti vendin e parë në grup, diçka që do të testohet në ndeshjen e radhës në Gjermani.

Rezultate të kombinuara për skuadrat spanjolle. Sevilja mundi 3-0 Dudelanzhin, me dy gola të Vaskezit dhe një të El Hadadit, Espanjoli ia doli 1-0 në Bullgari ndaj Ludogorecit, por Getafe u mund në fushën e vet nga Bazeli, në një ndeshje ku Granit Xhaka mori të verdhë, Qemal Ademi u aktivizua, ndërsa Edon Zhegrova ishte në stol.

Grupi A: Karabak-APOEL 2-2, Sevilja-Dudelanzh 3-0. Sevilja 9, Karabak 4, Dudelanzh 3, APOEL 1.

Grupi B: Dinamo K.-FC Kopenhagen 1-1, Malmo-Lugano 2-1. FC Kopenhagen 5, Dinamo 5, Malmo 4, Lugano 1.

Grupi C: Getafe-Bazel 0-1, Trabzonspor-Krasnodar 0-2. Bazel 7, Getafe 6, Krasnodar 3, Trabzonspor 1.

Grupi D: PSV-LASK Linc 0-0, Sporting L.-Rozenborg 1-0. PSV 7, Sporting 6, LASK 4, Rozenborg 0.

Grupi E: Sëlltik-Lacio 2-1, Renë-Kluzh 0-1. Sëlltik 7, Kluzh 6, Lacio 3, Renë 1.

Grupi F: Arsenal-Gimaresh 3-2, Frankfurt-Standard L. 2-1. Arsenal 9, Frankfurt 6, Standard 3, Gimaresh 0.

Grupi G: Porto-Rejnxhër 1-1, Jang Bojs-Fejënord 2-0. Jang Bojs 6, Rejnxhërs 4, Porto 4, Fejënord 3.

Grupi H: CSKA M.-Ferencvarosh 0-1, Ludogorec-Espanjol 0-1. Espanjol 7, Ludogorec 6, Ferencvarosh 4, CSKA 0.

Grupi I: Gent-Volfsburg 2-2, Sent Etien-Oleksandria 1-1. Volfsburg 5, Gent 5, Sent Etien 2, Oleksandria 2.

Grupi J: Ist. Bashaksehir-Volfsberger 1-0, Roma-Borusia M. 1-1. Roma 5, Volfsberger 4, Bashaksehir 4, Borusia M. 2.

Grupi K: Beshiktash-Sp. Braga 1-2, Sllovan B.-Uolves 1-2. Braga 7, Uolves 6, Sllovan 4, Beshiktash 0.

Grupi L: AZ Alkmar-Astana 6-0, Partizan B.-Man. Junajtid 0-1. Man. Junajtid 7, Alkmar 5, Partizan 4, Astana 0.

Sfidanti.al