Arbitri shpëton një Real që nuk po e mbledh veten këtë sezon!

Me siguri i prish punë edhe fakti që nuk luan në “Bernabeu”, por në të voglin “Alfredo Di Stefano”, po ashtu mungesat ndikojnë, veçse ka edhe diçka tjetër te ky Reali që nuk po bind. Barazimi në shtëpi 1-1 me Sociedadin ishte një tjetër mundësi e humbur në La Liga, me Atletikon që ndodhet tani 5 pikë para me një ndeshje më shumë për të luajtur. Jo vetëm kaq, por u desh goli i Vinisiusit në minutën e parafundit që të shpëtohej të paktën pika. Sociedadi kishte kaluar në epërsi në 55’ me anë të Kristian Portut, ndërsa më pas u mbrojt fort.

U desh edhe ndihma e arbitrit që të besuarit e trajnerit Zidan të mos humbisnin. Ishte një moment kur Kasemiro rrëzoi Monrealin në zonë (në foto), por nuk u sinjalizua penallti. As VAR-i nuk u përdor. Në të kundërt, arbitri Gil Manzano dha pozicion jashtë loje kundër baskëve, për diçka që nuk ekzistonte. Analiza e mediave ishte që Reali ngjau “gri” në fushë dhe vetëm Kros e Kasemiro mund të vlerësoheshin mirë. “Një mbytje pikërisht kur ishte në lojë vetë titulli”, – shkruhet nga “AS”. Javën që vjen është derbi në fushën e Atletikos.

Mungesat sërish ishin të shumta, ndonëse më pak se një javë më parë. Sergio Ramos, Militao, Karvahal, Benzema dhe Hazar vazhdojnë të jenë në infermieri. Odriozola, Marselo, Valverde apo Rodrigo u përfshinë në skuadër për ndeshjen ndaj Sociedadit. Gjithsesi, kjo nuk e ndihmoi dhe Reali ka tani 53 pikë në 25 ndeshje, po aq sa Barcelona, ndërsa Atletiko ka 58 pikë në 24 ndeshje.

Reali: Kurtua, Mendi, Naço, Varan, Lukas Vaskez, Kasemiro, Kros, Modriç (Valverde 75’), Marko Asensio (Rodrigo 60’), Isko (Visinius 60’), Mariano (Duro 60’). Tr. Zidan

Sfidanti.al