Antonio Konte me fjalë burri: Me Murinjon sqarohem ballë për ballë

Fjalë janë thënë shumë, por një njeri i ashpër si Antonio Konte dëshiron që në një moment, ato të përfundojnë. Natyrisht, është fjala për sherrin me Zhoze Murinjon, i cili ka arritur në përmasa që e bëjnë rekord botëror në mes të trajnerëve. Tekniku i Çelsit nuk u kursye ndaj portugezit pas barazimit 0-0 ndaj Noruiçit në Kupën e Anglisë, veçse në përfundim u shpreh në këtë mënyrë: “Unë nuk kam ndonjë gjë tjetër për të sqaruar me të, në këtë moment, do të kem rast në ndeshjen ndaj Junajtidit në “Old Traford”, unë dhe ai ballë për ballë. Unë jam gati, por nuk e di nëse edhe ai është gati”. Një kërkesë për armëpushim, por edhe një kërcënim.

Përpara këtyre fjalëve, Konte e quajti Murinjon “një njeri fals” për mënyrën sesi u soll me Ranierin, në fillim duke e tallur dhe sulmuar, dhe pastaj duke veshur fanelë me inicialet e tij CR, pasi Ranieri u shkarkua nga Leisteri, “thjesht sepse i leverdiste për të rritur famën e tij”. “Ai ka qenë njeri i vogël, mbetet njeri i vogël dhe do të mbetet edhe në të ardhmen një njeri i vogël”, – tha italiani.

Të dy sulmuan ashpër njëri-tjetrin, fillimisht me Murinjon që e quajti “sjellje prej klouni” atë të Kontes gjatë ndeshjeve, dhe me trajnerin e Çelsit që iu përgjigj se “ai duhet të ketë ndonjë sëmundje mendore”.

Sfidanti.al