Ansu Fati e Mesit, Barça nuk shkëlqen, por merr 3 pikët në La Liga!

Nuk është kohë për të bërë mrekulli, ndonëse nga ky ekip pritet gjithnjë shumë. Një Barcelonë, sërish jo plotësisht e çliruar nga varësia prej Lionel Mesit, vuajti për të mundur Leganjesin në “Kamp Noun” pa tifozë, por të paktën mori tri pikët që i duheshin për renditjen. Ka 64 të tilla, 6 plota në dy ndeshje që nga rifillimi i La Ligës, ndërsa duhen edhe 9 javë deri në përfundim.

Ansu Fati dhe Lionel Mesi ishin autorët e golave, pra heroi i ri dhe ai i vjetri, ndonëse kapiteni pati nevojë për një 11-metërsh. “Ansu Fati dhe pak më shumë se kaq”, shkruajti “Marka”. “Leganjesi fali disa herë”, theksoi gazeta “AS”. Ishte meritë e Mesit goli i dytë, pasi realizoi aksion individual që nga mesi i fushës, duke fituar 11-metërshin. Për fat të keq, një gol i Grizmanit u anulua dhe francezi vazhdon të jetë “hija” e vetvetes. “El Mundo Deportivo”, një gazetë katalanase, analizoi dhe shkruajti se “Barça padyshim që dominoi, por nuk e pati të lehtë që të kalonte vijën mbrojtëse të Leganjesit”. Kampionët presin se çfarë do të bëjë Reali i Madridit, që ka 59 pikë dhe që luan të enjten në “Alfredo Di Stefano” ndaj Valencias.

Sfidanti.al