Ançeloti lavdëron De Jongun: Futbollist ideal për Barcelonën

Napoli e humbi edhe ndeshjen e dytë miqësore ndaj Barcelonës, kësaj here me rezultatin e thellë 0-4. Katalonjasit të katër golat i shënuan në pjesën e dytë me anë të Suarezit (2), Grizmanit dhe Dembeles, duke i dhënë fund kështu me sukses edhe testit të fundit para fillimit të sezonit të ri.

Sidoqoftë, një nga futbollistët e Barcelonës i bëri një përshtypje mjaft të mirë trajnerit të Napolit, Karlo Ançeloti, që nuk i kurseu vlerësimet për mesfushorin e sapoardhur te klubi katalonjas nga Ajaksi, Frenki de Jong.

“De Jongu është një futbollist i shkëlqyer në mesfushë dhe unë e pashë edhe vetë që ai është mjaft i mirë në rolin e tij. Ai është i qetë, kur luan, dhe shumë efikas sa i përket kontrollit të lojës. Ai është një zgjidhje ideale për Barcelonën”, deklaroi Ançeloti.

Sfidanti.al