Alarm tek Reali, ndaj Atletikos u humbën më shumë se dy pikë!

Kishte ndodhur edhe herë të tjera që një Real-Atletiko të përfundonte barazim, edhe kur ishte e rëndësishme për titullin. Madje, ka ndodhur edhe që ka fituar skuadra “e punëtorëve”, jo ajo e “aristokratëve”, por këtë herë Madridi duket se humbi më shumë sesa në aspektin sportiv.

Pak minuta pas përfundimit të derbit, kapiteni Sergio Ramos nxorri nga goja disa fjalë që duhet të krijojnë alarm. “Nuk më pëlqen të flas me emra, por duhet të jemi më të bashkuar”. Përse Ramosi mendon se Reali nuk ishte i bashkuar? Kush janë emrat të cilët ai nuk dëshiron t’i deklarojë? Përderisa mbrojtësi i qendrës foli do të thotë se diçka ka.

Gjithsesi, duket se Ramos e kishte fjalën më shumë për mentalitetin pas kalimit në avantazh, kur Reali për disa moment u duk skuadër e vogël, duke lejuar Atletikon që të bënte lojën. “Nuk e kemi zakon të shohim orën në fund të ndeshjes, – vazhdoi ai, – duhet të dimë të reagojmë dhe të përballojmë presionin. Më vjen keq, sepse dominuam ndeshjen, por rezultati nuk iu përgjigj lojës”.

Alarmi tjetër për Realin ka të bëjë me mbrojtësin e qendrës, Pepe, i cili doli i dëmtuar nga loja. Analizat mjekësore treguan se ka dy kocka të thyera dhe se do të mungojë ndaj Bajernit dhe Barcelonës. Një humbje e rëndësishme, sidomos me Varanin gjithashtu jo mirë fizikisht.

Sfidanti.al