Ajaksi hedh hapin e parë drejt finales së Champions, 1-0 Totenhemit!

U luajt në Londër, por u duk sikur fare mirë po luhej në Amsterdam. E madhe ishte diferenca në klas mes Totenhemit dhe Ajaksit në gjysmëfinalen e parë të Championsit, fituar 1-0 nga holandezët që hodhën hapin e parë drejt finales së Madridit. Ashtu si ndaj Realit e Juventusit, “heshtëtarët” treguan nivelin e lartë të lojës së tyre, atë organizim, qarkullim topi e veprimi pa top që i ka bërë të famshëm që prej viteve 70-të.

U shënua vetëm një gol, nga Doni De Bek që në minutën e 15-të dhe përshtypja është se skuadra e trajnerit Ten Hag thuajse e ka përfunduar punën, ndonëse mbetet të paktën edhe një 90-minutësh. Pjesa e parë ishte totalisht e Ajaksit, me Totenhemin që nuk arriti të mblidhet veten deri 5 minuta para fundit të saj. Hyrja në lojës e Musa Sisokos ndryshoi balancën në mesfushë, dhe Spërsat luftuan fort edhe pas pushimit.

Ajaksi mund të kishte shënuar goline dytë në 78’, por Neres u ndal nga shtylla kur portieri Joris ishte dorëzuar. Holandezët u admiruan dyfish në stadiumin e ri të Totenhemit, në pjesën e parë për klasin e tyre në sulm, ndërsa në të dytën për aftësinë për të përballuar “rrethimin” e vendasve. Edhe në rastin e dytë, amsterdamasit patën rastet më të mira.

Totenhemit i munguan lojtarë të rëndësishëm si Harri Kejn, Son apo Uinks, ndërsa për ndeshjen e dytë do të mungojë edhe Vertongen që u dëmtua. Son do të kthehet, por jo Kejn. Skuadra e trajnerit Poçetino ka ende mundësi, por duket tepër e vështirë që të përmbysë shifrat në “Johan Krujf Arena” me atë që u pa në ndeshjen e parë.

Sfidanti.al